Një vajzë nga Lezha, e cila pasi mësoi se gjyshja ishte prekur nga koronavirusi, pak ditë më vonë u dërgua me urgjencë në spital me dhimbje të forta barku.

Vajza 18-vjeçare është paraqitur në spital me apandesit të gangrenizuar.  Ndërkohë, me të mësuar këtë fakt, mjekët e Sanatoriumit i kanë kryer tamponin vajzës së re e cila gjithashtu rezultoi pozitive. E reja ishte izoluar në banesën e saj në Lezhë pas lajmit për gjyshen, por mesa duket nuk kishte shpëtuar vetë prej virusit.

Ndërhyrja kirurgjikale e saj është kryer me sukses mbrëmë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë dhe pacientja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë publik lajmin gjatë një komunikimi online.

“Kemi hapur edhe spitalin Covid 2, spitalin “Shefqet Ndroqi” i cili ka pritur pacientin e parë. Një rast suksesi i ekipit të kirurgjisë së këtij spitali, me mjekët kirurgë, anestezistë, infermierët dhe i gjithë stafi që kanë kryer me sukses ndërhyrjen kirurgjikale tek një e re e prekur nga COVID-19”, bëri të ditur Manastirliu.