Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe Bari, bëjnë të ditur se pas njoftimit të Qeverisë për riatdhesimin e qytetarëve të bllokuar jashtë vendit kanë marrë një numër jashtëzakonisht të madh e-mail-esh dhe telefonatash nga persona që kërkojnë të rikthehen në Shqipëri.

Por siç e ritheksoi sot Kryeministri Rama, institucionet diplomatike në Itali po punojmë për rikthimin në atdhe, pas kontigjentit të parë që u kthye dje nga Italia, vetëm të personave të regjistruar në Ambasadë në listën e mbyllur deri në njoftimin e Qeverisë.

“E kemi të pamundur, për shkak të numrit të tyre shumë të madh dhe rrethanave të punës, t’iu pergjigjemi mesazheve të qytetarëve që na kanë shkruar. Ambasada dhe Konsullatat kërkojnë mirëkuptimin e të gjithëve për këtë“, thuhet në deklaratën për media.

Nga ana tjetër, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe Bari, u bën me dije qytetarëve të regjistruar se kriteret e prioriteteve për riatdhesimin janë ato që janë bërë publike nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Kërkojmë nga qytetarët e regjistruar të jenë të aksesueshëm nëpërmjet telefonit, whatsapp ose email, në pritje të njoftimeve tona”.