Edhe pasditen e kësaj të shtune, Durrësi ishte tërësisht i boshatisur.

Siç duket edhe në videon që “DurrësLajm” publikon rrugët kryesore të qytetit bregdetar janë braktisur me detyrim nga qytetarët, të cilët po i binden ndalim-qarkullimit, që nis prej në orën 13.00.

Askush nuk lëviz në rrugët që dikur ishin plot me zëra njerëzish dhe lëvizje makinash sidomos në fundjavë.

Rruga “Taulantia”, bulevardi “Dyrrah”, rruga “Egnatia” etj janë të heshtura. Përveç mjeteve të autorizuara, asgjë tjetër nuk lëviz. Një pamje e ngjashme pritet të jetë edhe të nesërmen pasi nuk lejohet lëvizja deri në orën 5 të mëngjesit të së hënës.

Kujtojmë se sot në vend, u regjistruan 11 raste të reja pozitive me Covid-19, duke e çuar shifrën në total në 197 persona, nga të cilët 11 janë nga Durrësi.