Ditën e sotme u mbush plot një javë që një grup sipërmarrësish durrsakë kanë bashkuar forcat për t’u ardhur në ndihmë kategorive më vulnerabël në qytetin bregdetar.
Për një javë rradhazi kanë shpërndarë nga 200 bukë në ditë në disa nga zonat më të varfëra të qytetit, si zona e Nishtullës, komuniteti i banorëve pranë kolaudimit të makinave, lagja nr.16 apo zona e Currilave, që ishte ndalesa e ditës së sotme.
Në këto ditë të vështira, të krijuara prej emergjencës koronavirus, kategoritë më në nevojë po i vuajnë në kurriz pasojat e masave drastike të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Për këtë arsye, biznesmeni Adrian Reçi, administrator i kompanisë Italinoks Shqipëria, së bashku me një grup biznesmenësh durrsakë ndërmori nismën për të shpërndarë bukë falas, për ata që nuk kanë mundësi të kryejnë aktivitetin e tyre të përditshëm, që u mundësonte mbijetesën.
Adrian Reci, Neritan Golja, Ilir Myshketa, Julian Berxulli, Ilir Xhani, Mir Bicaku, Llazar Tati, Orges Mullai, Julian Guce, Edison Sulejmani, Adnan Quku, Eli Baxheri, Arjan Gjyzeli, Edi Nallbani – Servis Horeka janë biznesmenët që u bënë bashkë në këtë javë të parë të këtij misioni humanitar.
“E kisha menduar vetëm një javë këtë nismë. Por me krizën që duket se do të vazhdojë gjatë dhe duke parë që iniciativës po i bashkohen edhe të tjerë biznesmenë ne do ta vazhdojmë edhe javën e ardhshme, por edhe më tej. Madje, javën e ardhshme, duke parë që kriza do të vijë duke u thelluar, ne kemi menduar të shtojmë sasinë e bukëve që do të shpërndajmë falas. Nga 200 që shpërndamë këtë javë, do të shpërndajmë 300 bukë”,- thotë biznesmeni Reçi për DurrësLajm.
Në kohë të vështira, solidariteti mes njerëzve shtohet edhe më shumë.
“Unë këtë gjë e vura re këtë javë. Shumë të tjerë na telefononin dhe na pyesnin si mund të bëheshin pjesë e kësaj iniciative. Në mënyrë që nisma të zgjatet në kohë, aq sa do të zgjasë edhe gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, ne kemi menduar ta bëjmë me rradhë. Nga ana tjetër, ftoj këdo sipërmarrës që do të na bashkohet të na kontaktojë. Të gjithë së bashku mund të bëjmë më shumë për këta njerëz, që kërkojnë vetëm gjërat më bazike, një shportë ushqimore për të mbijetuar në këto kohë lufte që po kalojmë”,– tha Reçi.
Biznesmeni durrsak nuk harron të bëjë një falenderim të veçantë edhe për furrat e bukës që u kanë përgatitur sasinë e kërkuar.
“Kanë punuar gjithë natën, në mënyrë që ne t’i kishim gati në mëngjes dhe të nisnim shpërndarjen pa vonesa. Një falenderim shkon edhe për to”,– thotë Reçi.
Java e ardhshme pritet të jetë edhe më e vështirë për komunitetet vulnerabël të qytetit të Durrësit. Kufizimi edhe më drastik i vendosur nga qeveria, ku vetëm një anëtar i familjes mund të dalë dhe vetëm një orë në ditë në fashën orare 05.00-13.00 do ta bëjë edhe më të vështirë situatën ekonomike të shtresave në nevojë.
Reçi thotë se ndoshta edhe për ta mund të jetë më e vështirë për të operuar në terren dhe për të çuar sasitë e bukëve në lagjet e programuara, brenda orarit të lejuar. Në të njëjtën kohë, biznesmeni durrsak nënvizon se megjithëse qeveria thotë prej javësh se jemi në luftë, nuk kemi një komitet shpëtimi.
“Gjatë kësaj kohe ne nuk jemi kontaktuar nga asnjë strukturë shtetërore. Përkundrazi, kemi kontaktuar privatisht drejtuesit e shoqatave të invalidëve, komunitetet fetare etj për të shpërndarë bukë tek njerëzit më në nevojë. Nëse do të ishim kontaktuar nga strukturat lokale ndoshta dhe organizimi do të ishte më i mirë, ndoshta do mund të bënim më shumë për ata që kanë më pak mbështetje”,– thotë Reçi.
Në fund, biznesmeni durrsak ka një apel për të gjithë komunitetin e biznesit në qytetin bregdetar: “Sa më shumë të jemi, aq më shumë mund të ndihmojmë ata që ndihen vetëm dhe pa mbështetje këto ditë”.
Emrat e biznesmenëve durrsakë që i bashkohen nismës javën e ardhshme:
Ardian Reci
Jonadri Prodani
Hamza Xhakoni
Artur Bujari
Sokol Kallogjeri
Kico Delijorgji
Edlir Hoxha
Ilir Ferri
Greta Bilali
Arian Gjyzeli
Gezim Serenai





