Banorët e lagjes 8 në Durrës kanë protestuar mesditën e sotme për kërkesa jetike si ushqimi, pasi janë në pamundësi për t’i siguruar vetë në këto ditë të vështira që po kalon vendi dhe mbarë bota nga pandemia e koronavirusit.
Ata janë shprehur të indinjuar nga indiferenca e pushtetit vendor dhe atij qëndror, të cilët sipas tyre nuk kanë bërë asgjë për t’iu gjendur pranë qytetarëve.
“Ka 12 ditë që ka rënë koronavirusi dhe s’ka ardh asnjë nga komuna me u interesu për ushqime apo masa mbrojtëse. Kemi shku tek komuna zyrat kanë qenë mbyllur. Jam 8 anëtarë në familje”,- thotë një banor.
“Edi Ramën e kemi mbështetur me votë për të ardhur në pushtet, sot është dita që ai të na ndihmojë për të jetuar”, shprehet një tjetër banor.
Të paqarta për qytetarët mbeten kufizimet e reja të aplikuara nga qeveria, që sipas tyre janë zgjedhje shumë e mirë për mos përhapjen e virusit, por penalizuese për kategoritë që nuk kanë asnjë të ardhur për të mbijetuar.
K.H.





