Kolagjeni është një nga blloqet ndërtuese të trupit. I përbërë nga aminoacidet e absorbuara nga proteinat që hamë, ka më shumë se 20 nëntipe që gjenden kudo – nga kockat dhe muskujt tanë deri te organet. Tipet I, II dhe III janë më të zakonshmet në lëkurë, kërc dhe ind lidhës, duke ndihmuar me forcën dhe elasticitetin.
Vitet e fundit, kolagjeni është bërë i njohur si proteina që e mban lëkurën në fytyrën tonë të duket rinore, me pluhurat dhe pilulat e kolagjenit që premtojnë të ngadalësojnë shenjat e plakjes – por a ka ndonjë të vërtetë në këtë?
Dr. Afshin Mosahebi, profesor i kirurgjisë plastike në University College London, thotë se shkenca është “e dyshimtë”, me mungesë të studimeve në shkallë të gjerë dhe të rishikuara.
“Nuk ka prova të drejtpërdrejta se kolagjeni, i marrë më vete, mund të bëjë diçka më shumë sesa të hani mjaftueshëm proteina”, thotë Mosahebi.
Ai thotë se është e vërtetë që, ndërsa plakemi, ndryshimet në nivelin e kolagjenit bëjnë që lëkura në fytyrën tonë të fillojë të duket “e rrudhosur” dhe më pak e tonifikaur, por është gabim të supozohet se thjesht plotësimi i kolagjenit është zgjidhja.
“Kur hani diçka, ajo nuk shkon direkt në lëkurën tuaj. Sigurisht, pjesë të saj absorbohen dhe përdoren në riparimin e lëkurës, por nuk do të shkojë direkt nga goja juaj në fytyrë dhe rrudhat tuaja“, thotë më tej profesori i kirurgjisë.
Mosahebi shton se përdorimi i produkteve për kujdesin e lëkurës që përmbajnë kolagjen nuk do të bëjë ndonjë ndryshim afatgjatë në plakjen e lëkurës, pasi “nuk depërton në vetë lëkurën”.
Në vend të kësaj, ai thotë se mënyra se si plakemi varet nga gjenetika (si të kesh lëkurë të çelët që është e ndjeshme ndaj diellit) dhe stili ynë i jetesës.
Këshillat e tij për ngadalësimin e procesit të plakjes përfshijnë sigurimin e një diete të ekuilibruar që përfshin proteina, shmangien e diellit, shmangien e pirjes së duhanit, hidratimin dhe mbajtjen e lëkurës të hidratuar me produkte si acidi hialuronik.