Çmimi i naftës u rrit me shpejtësi në vend ditët e fundit. Brenda një jave, që nga e enjtja e javës së kaluar, çmimi i naftës është shtrenjtuar me 4 herë.

Vetëm të mërkurën e një jave më parë nafta tregtohej me 192 lekë, pra është rritur me 57 lekë, ose 50%, për të arritur në 250-260 lekë për litër.

Ndërsa sot, DurrësLajm konstaton në karburantet që tregtojnë në qytet, një ulje të lehtë, ku çmimi ka shkuar 243 lekë për litër.

Dje qytetarët në Durrës dhe Tiranë u ngritën në protestë kundër rritjes së çmimeve, duke paralajmëruar protesta të përditshme, ndërkohë që po ditën e djeshme pësoi rënie çmimi i naftës në bursë.

Operatorët e tregut e lidhin shtrenjtimin me rritjen e karburanteve në bursa, ku nafta arriti të mërkurën në mëngjes në 130 dollarë për fuçi, por më pas u ul në 120 dollarë, nga rreth 90 dollarë që ishte në dhjetor dhe me zhvlerësimin e dollarit, që arriti në 116 lekë, por që ra të mërkurën, pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se ka hapur një hetim paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve. Sipas këtij institucioni, shkak është bërë rritja e çmimeve të nënprodukteve të naftës duke filluar nga muaji shkurt.