“Të na subvenciohet çmimi i naftës, të na rriten rrogat që të përballojmë rritjen e çmimeve”

“Nuk shkova tek protesta në Tiranë, por dola këtu, sepse nuk kam lekë për naftë”

“Ai ka marrë avionin privat ka shkuar në Dubai, se e ka në terezi ai, ne kemi hall. Ke frikë të marrësh makinën të shkosh në spital, nuk i duam makinat për qejf”.

“Na thonë ecni në këmbë t’ju ulet barku. Unë nuk mund të shkoj në Tiranë në këmbë. Janë vetëm një grusht njerëzish që po përfitojnë nga e gjithë kjo situatë”.

Ishin këto vetëm disa nga deklaratat e protestuesve durrsakë për mikrofonin e “DurrësLajm”, të cilët përreth 45 minuta fikën automjetet në shenjë proteste ndaj rritjes së çmimit të karburantit, por edhe rritjes së çmimit të ushqimeve, që vijon prej disa muajsh tashmë.

Të organizuar në një protestë qytetare, e cila u lajmërua në rrjete sociale, protestuesit ngritën zërin në sheshin “Liria” të Durrësit për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve  për rritjen e pandalshme të çmimeve, që po ua vështirëson gjithnjë e më shumë jetesën.

Disa nga protestuesit që morën fjalën kërkuan që protesta e sotme të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme në po të njëjtën orë, derisa qeveria të reflektojë dhe të marrë masat që rritja galopante e çmimit të karburantit të mos zbrazë xhepat e familjeve buxhetore.

Pas më shumë se 45 minutash protestë, qytetarët u shpërndanë, ndërsa vargu i gjatë i automjeteve të fikura në mes të rrugës, në të dy anët e sheshit “Liria” vijonte deri në afërsi të pallatit të sportit “Ramazan Njala”.

M.B.