Nevojat dhe sfidat e sipërmarrjes në Durrës kanë qenë në fokus të një takimi mes përfaqësuesve të institucioneve qendrore, Bashkisë së Durrësit dhe komunitetit të biznesit.

Në takim morën pjesë Zv/ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, AIDA, Laura Plaku (Saro), Drejtorja Ekzekutive e Korporatës Shqiptare të Investimeve, AIC, Elira Kokona, si dhe përfaqësues të institucioneve partnere e sipërmarrës të qytetit.

Diskutimet u përqendruan te rritja e bizneseve, mundësitë e financimit, eksportet dhe zgjerimi në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit theksuan rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me sipërmarrësit, me qëllim identifikimin e problematikave me të cilat përballen dhe përcaktimin e fushave ku institucionet vendore mund të ndërhyjnë.

Takimi u zhvillua në kuadër të nismës AIDA/AIC × Bashkitë, e cila synon afrimin e dialogut institucional me komunitetin e biznesit dhe konkretizimin e problematikave në iniciativa dhe bashkëpunime të mëtejshme.

Bashkia e Durrësit bëri me dije se do të vijojë punën për forcimin e bashkëpunimit me sipërmarrjen dhe institucionet qendrore, me fokus krijimin e më shumë mundësive për punësim dhe investime në qytet.