Nga Mila Ballhysa
Edhe pse e dëmtuar rëndë, mbetet ndër godinat më madhështore të qytetit, njëkohësisht edhe më misteriozja…
E mbyllur për publikun e gjerë për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, vila e mbretit Zog në Kodër Vilë ka dështuar deri tani të kthehet në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Durrësit.
E ndërtuar në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, në pikën më të lartë të kodrës, ajo dominon peisazhin përreth me madhështinë e saj. Por dëmtimi i pandalshëm, i nisur që nga viti i mbrapshtë 1997, ka shkatërruar shumëçka nga ajo çfarë përfaqësonte dikur pallati mbretëror veror i mbretit Zog.
“DurrësLajm” dëshmoi një muaj më parë përmes pamjeve ekskluzive nga brenda vilës, gjendjen e trishtë të ambienteve të saj.
Pavarësisht vlerave historike dhe arkitekturore, godina mbi 90-vjeçare nuk gëzon statusin monument kulture.
Vila piktoreske, lehtësisht e dallueshme nga deti dhe nga toka, nuk ka qenë në vëmendjen as të autoriteteve shtetërore dhe as të pronarëve të saj për të kryer përgjatë viteve tentativat e nevojshme, për ta përfshirë godinën në listën e monumenteve të kulturës.
Këtë fakt na e konfirmon në një bisedë telefonike për “DurrësLajm” kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Olsi Plasa. Asnjë kërkesë, ndërkohë që rrënimi i godinës është i pandalshëm.
Por sa i rëndësishëm është statusi i monumentit për Vilën e Zogut?
“Është i domosdoshëm. Them kështu, sepse duke e shpallur monument kulture ju deklaroni që është një trashëgimi kulturore e shqiptarëve”,– thotë arkitekti i njohur italian Paolo Di Nardo.
Ndërsa kryebashkiakja Emiriana Sako e konsideron pallatin mbretëror një aset për qytetin, por çështja e statusit të godinës sipas saj duhet vlerësuar nga ekspertët.
“Vila e Zogut është një aset dhe simbol shumë i rëndësishëm i Durrësit, qoftë për atë që përfaqëson në histori apo pozicionin gjeografik që ka, por edhe për vlera që paraqet si objekt në vetvete”,- thotë Sako.
Degradimi i ambienteve të brendshme të saj edhe për shkak të efektit kohë, nuk i ka hequr aspak nga madhështia që ajo transmeton, ndërsa e vëzhgon nga jashtë.
Gazetarit italian Alessandro Zorgniotti, ajo i kujton vilat e fisnikërisë torineze në Itali dhe prandaj rekomandon që të kthehet në një sit të trashëgimisë kulturore të qytetit.
“Mund të kthehet në një muze. Në Torino vizitohen nga turistët vilat elegrante të fisnikërisë së dikurshme. Nga ato, qyteti siguron të ardhura të konsiderueshme ekonomike dhe kështu mund të ndodhë edhe këtu. Njëkohësisht mund të jetë një mundësi zhvillimi dhe punësimi edhe për shumë familje të Durrësit, që jetojnë përreth kësaj vile”.
Sipas Zorgniotti-t, vila mbretërore mund të përdoret edhe si shesh xhirimi i prodhimeve kinematografike.
“Kjo vilë që është shumë e dëmtuar brenda, por shumë tërheqëse nga jashtë mund të përdoret si shesh xhirimi për filma. Kjo vilë më ngjan me shesh xhirimet e regjisorit të famshëm italian Dario Argento, i njohur për filmat e tij triller dhe horror”.
Restaurimi i kushtueshëm i saj
Erozioni i kodrës ka lënë prej vitesh gjurmë në muret rrethuese të vilës, ndërsa tërmeti i vitit 2019 nuk dihet nëse ka shkaktuar dëmtime në strukturën e saj. Restaurimi i godinës, sigurisht kërkon shuma të konsiderueshme.
“Padyshim që kërkon miliona euro, sepse nuk do restaurohet vetëm struktura e godinës, por ajo do të modelohet edhe nga brenda”,- thotë arkitekti Di Nardo.
“Është e vështirë për të bërë vlerësime të këtij karakteri. Objekti është rreth 2000 metra katrorë, ka një territor rreth 5000 metra katrorë, i cili do sistemuar i tëri. Kërkon një ekspertizë shumë të thelluar, e cila duhet të shprehet fillimisht për problemet që kanë lidhje me konstruksionin, me qëndrueshmërinë dhe pastaj kuptohet për risjelljen e detajeve arkitektonike, që tashmë kanë humbur”,– thotë për “DurrësLajm” arkitekti Indrit Hamiti.
Mbrëmjen e 23 shtatorit, vilës së mbretit Zog iu rikthye pak nga magjia e dikurshme. Pavarësisht trishtimit që ngjallte tek vizitorët degradimi i godinës, përflakja që i jepte ndriçimi i zgjedhur me mjaft kujdes, e transformoi atë në magjepëse në orët e mbrëmjes.
Por magjia zgjati vetëm një natë…
Të nesërmen, gjithçka ishte e kyçur, si prej shumë vitesh tashmë.
E ardhmja e pallatit mbretëror
E ndërsa Durrësi po i nënshtrohet një sërë ndërhyrjesh transformuese në site historike e arkeologjike, ka ardhur koha, që godinës madhështore mbi kodër t’i jepet rëndësia e duhur.
“Duam të mbrojmë edhe trashëgiminë e shekullit XX, sepse ajo është vijimësi e shtresave të trashëgimisë së Durrësit dhe ka ndërtesa shumë të bukura të shekullit XX”,– deklaroi arkitekti Rand Eppich gjatë dëgjesës publike të mbajtur në muajin shtator për prezantimin e Planit të Menaxhimit të Integruar të zonës arkeologjike A dhe B në Durrës, që pritet të nisë të zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Mes godinave që u shfaqën gjatë prezantimit të arkitektit Eppich ishte dhe vila mbretërore.
Ajo është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë dhe zhvillimet urbane e arkitekturore të 100 viteve të fundit të Durrësit, prandaj qytetit nuk i lejohet ta humbë duke e lënë në harresë.
Një tjetër “xhevahir” në kolanën e trashëgimisë së pasur kulturore të Durrësit do ta bënte qytetin 3000-vjeçar edhe më tërheqës për turistët.