Nga lartesia e kodrës në majën e së cilës ngrihet, ajo e sheh krenare qytetin, pavarësisht se degradimi i pësuar ka zbehur shumë nga madhështia e dikurshme.

E mbyllur përherë për publikun dhe turistët, pasditen e së enjtes Vila mbretërore e Zogut në Durrës kishte hapur dyert për personalitete të jetës politike e publike, profesorë, arkitektë, studentë etj.

“Tempo sospeso” apo “Koha pezull” ishte eventi i organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada e Italisë, që i riktheu sallës së ballos gjallërinë e shumë e shumë viteve përpara.

Qëllimi ishte kthimi i vilës në një qendër multimediale dhe hedhja e hapit të parë për t’u ndjekur nga të tjerë për ta rivënë në funksion këtë godinë 100-vjeçare.

“Menduam të organizojmë këtë mbrëmje në këtë vend kaq të veçantë dhe kaq të rëndësishëm për historinë shqiptare, sepse vila është një pikë takimi e rëndësishme e arkitekturës italiane dhe asaj shqiptare. Mbrëmja e sotme është edhe një mundësi për shumë qytetarë të shohin një vend që qëndron i mbyllur”,-  tha Alessandro Ruggera, drejtori i Institutit Italian të Kulturës për “DurrësLajm”.

Perëndimet e diellit parë prej verandës së saj janë fantastike.

“Pikërisht këtë detaj kanë zbatuar me përpikmëri dekoruesit e Harabel Contemporary për t’i dhënë vilës edhe në ambientet e brendshme përflakjen e zakonshme që dielli ia dhuron në mënyrë natyrale”,- tha ndër të tjera drejtuesja e kësaj qendre Ajola Xoxa.

Për pedagogun dhe arkitektin e njohur italian Paolo Di Nardo, që mbajti kumtesën e rastit në këtë event, të qënit sot në këtë vilë, i ngjason me të qënit në shtëpi.   

“Unë ndihem në shtëpi, sepse nga këtu shoh detin. Kjo vilë është shumë e bukur. Është shumë e bukur sepse i është nënshtruar shumë ndërhyrjeve, të cilat kanë respektuar ndërhyrjet e mëparshme. Mendoj se kjo është sjellja e duhur, që në të ardhmen do të ndihmojë për restaurimin e kësaj vile. Është e bukur sepse është prepotente, është e bukur sepse shihet nga larg, është e bukur sepse është e thjeshtë. Nganjëherë të bësh diçka të thjeshtë është e vështirë, por thjeshtësia është tema e Mesdheut”.  

Ndërkohë, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako shpreson që evente të tilla të jenë të shumta në të ardhmen, që Vila të kthehet në pikë takimi të artistëve, arkitektëve etj.

Nën efektin degradues të kohës, në pjesë të veçanta të saj godina vijon të ruajë pak nga sharmi i dikurshëm. Ndërsa në ambiente të tjera degradimi është ulëritës.

Duke mos qenë monument kulture, Vila, pas grabitjes në vitin 1997, ka njohur vetëm degradim. Por mbrëmjen e së enjtes, ajo kishte marrë pak nga nuri i dikurshëm i madhështisë për të cilën u krijua.

Përpjekjet për rijetësimin e saj do t’i kthenin Durrësit një aset të rëndësishëm të turizmit kulturor, duke e pasuruar edhe më shumë kolanën e siteve arkeologjike e historike që askush nuk duhet të ikë nga qyteti pa i parë nga afër.

M.B.