Sulmuesi Klejdi Daci mbylli një sezon pozitiv me Teutën, ku gjeti rrugën e rrjetës në 10 raste, duke qenë kështu golashënuesi më i mirë i skuadrës. Lojtari që ka qenë vendimtar në disa ndeshje të rëndësishme, thekson se Teuta meritonte Europën.

Pas përfundimit të kampionatit bëhet analiza e ecurisë së skuadrës. Sipas jush, a e meritoi Teuta vendin e 6-të?

Na vjen keq që nuk arritëm vendin e katërt. Futbolli kështu është, ne patëm oshilacione në dy fazat e para të kampionatit, më pas e morëm veten dhe hymë në ritmin e fitoreve. Keqardhja është më shumë për faktin se kemi lënë pikë në disa ndeshje që meritonim më shumë. Por mund ta quaj një sezon të mirë. Ka vend për shumë përmirësime dhe besoj se sezonin e ri do të kemi pretendime serioze. Teuta duhet të bëjë shumë më tepër.

Cilin gol do të veçonit si më të bukurin në kampionatin e fundit?

Të gjithë golat që kam shënuar kanë pasur rëndësinë e vet, s’dua të veçoj asnjërin. Më vjen keq vetëm që golat nuk e ndihmuan ekipin për të qenë mes 4 të mirave.

Çfarë note do t’i vendosnit sezonit të Teutës?

Sezonin e fundit do ta ndaja në dy pjesë, siç e thashë më lart. Nuk di ta them notën. Nuk arritëm Europën nga kampionati, por arritëm të shpëtojmë sezonin.

Të ardhmen tuaj, a e shikoni në Durrës?

Teuta beson te lojtarët e rinj, të cilëve u jep mundësi të tregojnë vlerat e tyre. Ne e dimë që mund të japim më shumë sesa kaq dhe të arrijmë sukses. Qetësia që të jep ky klub bën që mos të kesh nevojë për një periudhë të madhe për përshtatjeje.