Ishmi, njësia administrative me relievin më të bukur në qarkun e Durrësit, po kthehet në një ndalesë të rëndësishme për turistët e huaj.

“Kjo zonë ndodhet në një pikë strategjike, ku vizitorët mund të vizitojnë kalanë, varrin e Ibrahim Kodrës, por poshtë është dhe Bazilika që i përket shek. 5-6.”,- na thotë historiani Përparim Taipi.

Atje ku takohet deti me plazhet e Gjirit të Lalëzit dhe Kepit Rodonit dhe kodrat e gjelbëruara me një florë dhe faunë mjaft të pasur, ndodhen dhe një numër objektesh historike të një rëndësie të veçantë.

“Këtu pranë ndodhet edhe varri i piktorit me famë botërore, Ibrahim Kodra, i cili e la amanet që varri i tij të prehej në një vend të bukur.”, vijon më tej Taipi.

Edhe kalaja, e cila sipas historianit daton në shekullin XVI dhe u ndërtua nga turqit, është një destinacion i rëndësishëm për turistët.

“Edhe të huaj vijnë shumë, polakë, çekë, gjermanë, italianë. I tërheq pak më shumë varri i të ndjerit piktor, por përpos kësaj bëjnë edhe vizitën tek kalaja, ku shikojnë këtë pamje mahnitëse, që rrethohet nga fusha, male e qytete, duke përfshirë Krujën, Laçin, Mamurrasin, Lezhën, Shëngjinin e deri në Ulqin që shikohet me sy të lirë.

Me ristrukturimin e kalasë është bërë i mundur edhe ndriçimi, që gjatë natës i jep një pamje mahnitëse. Është një ndryshim rrënjësor që i është kohët e fundit. Prandaj vizitorët kanë qenë jo të paktë në numër.”

Kalaja e Ishmit iu nënshtrua procesit të restaurimit të mureve fortifikuese dhe vazhdoi me rindërtimin dhe konsolidimin e terrenit dhe peizazhit brenda saj.

K. Gj.