Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka reaguar në lidhje me debatin për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja thekson se administrimi do bëhet në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi.

Sipas ministrit, kjo behet në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja.

Po ashtu ministri thekson se vlerësojnë rolin e AADF ‘në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e BMF për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore’.

Reagimi i plote:

Për Butrintin

Në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi.

Unë dhe ekipi vlerësojmë gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e BMF për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja!