Agim Bulku, ish-futbollisti i njohur i Lokomotivës së Durrësit dhe kombëtares së Shqipërisë, i është nënshtruar ditët e fundit një operacioni delikat në një spital në Bolonja, Itali.
Lajmin e jep gazetari veteran sportiv Bujar Qesja, që në rrjete sociale ka publikuar edhe një video të shkurtër ku shfaqet ish-futbollisti i njohur duke përshëndetur familjarët, miqtë e dashamirësit nga krevati i spitalit.
“Kurajo Agim Bulku! Ti nuk ke për t’u ndarë kurrë nga ne!”- shkruan gazetari Qesja.
Agim Bulku është një emër mjaft i njohur në Durrës. 3 vite më parë, ai u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit” të Durrësit.
Përveç angazhimit për shumë vite me radhë pranë Lokomotivës së Durrësit, Bulku vlerësohet edhe për kontributin e çmuar që ka dhënë në pregatitjen e brezave të futbollistëve të rinj.





