Agjencia amerikane e medikamenteve, FDA, aprovon një ilaç të ri për parandalimin e HIV. Konsiderohet mjaft i rëndësishëm dhe mund të kontribuojë për t’i dhënë fund epidemisë së AIDS-it.

Bëhet fjalë për një injeksion antiviral semestral, i prodhuar nga kompania Gilead, bëjnë të ditur mediat amerikane.

Sipas tyre, do të komercializohet me emrin Yeztugo kur të hidhet në treg.

Yeztugo është një injeksion antiviral që do të aplikohet çdo 6 muaj. Trajtimi, në të gjitha fazat e studimit dhe provat klinike, ka rezultuar me sukses, i përllogaritur në 99.9%, ku asnjë nga vullnetarët në moshë seksuale aktive nuk është infektuar pas injeksionit.

Revista prestigjioze Science e ka etiketuar këtë ilaç parandalues si zbulimin e vitit 2024 dhe të destinuar të hyjë në histori.

Sipas të dhënave nga OBSH, epidemia ka shkaktuar 1.3 milionë të infektuar të rinj, ndërkohë që ka shkaktuar 630 mijë të vdekur në vitin 2023 në botë.

Vetëm në SHBA, numërohen rreth 700 infektime të reja çdo javë dhe 100 vdekje në radhët e pacientëve.