Kreu i PAA-së dhe ish-deputeti i Durrësit, Agron Duka, i ka kujtuar sot kryeministrit Rama se edhe një muaj kohë i ka mbetur për mbajtjen e premtimit për zgjidhjen e problemit të vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto Romano.

Ndërsa riposton një postim të kryeministrit në rrjete sociale në 13 qershor 2018, Duka i kujton Ramës se premtimi i bërë 17 muaj më parë mbetet ende i papërmbushur dhe vë në rrezik shëndetin e qytetarëve durrsakë.

“Një premtim i pambajtur që nuk rrezikon vetëm shëndetin e atyre që jetojnë pranë vendgrumbullimit, apo të studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu”, i cili ndodhet pak metra larg kësaj bombe ekologjike, por shëndetin e gjithë qytetarëve të Durrësit”,– shkruan Duka.

Postimin e tij, kreu i PAA-së e shoqëron edhe me foto që dëshmojnë situatën mjaft kritike në vendgrumbullimin e mbetjeve në Porto Romano.

Postimi i plotë i Agron Dukës:

17 muaj më parë, pasi u përsërit refreni i vjetër se “kështu ka qenë prej dekadash”, kryeministri premtoi se problemi i vendgrumbullimit të mbetjeve urbane në Porto Romano të Durrësit, do të zgjidhej brenda 18 muajsh. Mungon ende një muaj nga përfundimi i këtij afati, por situata nuk ka ndryshuar.

Plehrat nuk trajtohen dhe nuk asgjësohen, lihen në mëshirë të fatit; punën e Bashkisë vijojnë ta bëjnë derrat, të cilët ushqehen në këtë fushë toksike.

Një premtim i pambajtur që nuk rrezikon vetëm shëndetin e atyre që jetojnë pranë vendgrumbullimit, apo të studentëve të universitetit “Aleksandër Moisiu”, i cili ndodhet pak metra larg kësaj bombe ekologjike, por shëndetin e gjithë qytetarëve të Durrësit.