TIRANE, 29 prill 2013– Aleanca Kuq e Zi ka reaguar në lidhje me lajmin e hapur në disa media për ‘shkrirjen” e partisë pasi drejtues të saj kanë dhënë dorëheqjen.
Në një reagim për mediat Lisien Bashkurti, apelon që të hiqet dorë nga përdorimi i korrupsionit, shantazhit dhe i diversionit të partive politike.
“Ky është veprim anti-demokratik dhe prish klimën e lirë dhe paqësore për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Aleanca Kuq e Zi, u bën apel të gjithë liderëve politik dhe mediave të tyre të jenë të vetëpërmbajtur ndaj njëri-tjetrit e të hiqet dorë nga përbaltja, fyerjet dhe shpifjet. Historikisht sistemet dhe politikat autokratike dhe diktatoriale kanë përdorur parimim përçan dhe sundon për të shkatërruar frymën opozitare dhe për të përjetësuar diktatorë”, deklaroi Bashkurti në një konferencë për shtyp.
Pavarësisht se nuk ka pranuar të bëjë pjesë në asnjë koalicion parazgjedhor, Aleanca Kuq e Zi thekson se është e vendosur dhe radikale të qëndrojë fuqishëm në frontin opozitar me qëllim përmbysjen e qeverisë të cilën ajo e cilëson të inkriminuar dhe për të nxjerrë një qeveri nga fronti i opozitës që do u hapë rrugën reformave të thella dhe integrimit të Shqipërisë.





