Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se, krahasuar me katër vite më parë, Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) është rritur në dimensione të ndryshme si në sasi, ashtu edhe në cilësi, ndërsa interesi i të rinjve për arsimin ushtarak vazhdon të rritet falë politikave miqësore të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në vitin 2020, numri i aplikantëve ishte vetëm 685, ndërsa në vitin 2024 aplikuan 1114 të rinj e të reja për t’u bërë pjesë e AFA-së.
Investimi në kapitalin njerëzor, me fokus afrimin e të rinjve në radhët e Forcave të Armatosura, përfshin jo vetëm ciklin bachelor.
Në muajin nëntor, Akademia e Forcave të Armatosura hapi zyrtarisht vitin e ri akademik për programet e ciklit të dytë master, duke mirëpritur 74 studentë të rinj në tre programe të specializuara:
Master Profesional në Siguri Kibernetike në Fushën e Mbrojtjes (i ofruar që prej vitit 2021), që përgatit ekspertë për mbrojtjen e sistemeve digjitale dhe përballimin e kërcënimeve kibernetike;
Master Shkencor në Shkenca Kompjuterike dhe Inteligjencë Artificiale në Fushën e Mbrojtjes (i ofruar për herë të parë në vitin 2024), i fokusuar në zgjidhjet teknologjike për sfidat moderne të mbrojtjes;
Master Shkencor në Siguri dhe Politikë Ndërkombëtare (i ofruar për herë të parë në vitin 2024), që zhvillon aftësi për analizën dhe menaxhimin e çështjeve komplekse të sigurisë globale.
Viti 2024 shënoi një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2021 në Masterin Profesional për Siguri Kibernetike, duke dyfishuar numrin e studentëve.
Për programet master të këtij sezoni, u regjistruan 74 studentë nga 100 aplikantë, duke përfshirë jo vetëm ushtarakë, por edhe civilë.
Nëpërmjet zgjerimit të gamës së studimeve, objektivi ynë mbetet ofrimi i arsimit cilësor që shërben për forcimin e mbrojtjes kombëtare dhe ndërkombëtare.