Shoqata për Studime Shqiptare në Shtetet e Bashkuara mbajti një diskutim me tema të ndryshme për të shënuar 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Akademikë shqiptarë në SHBA diskutuan ndër të tjera për veprimtarët që punuan shumë për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë dhe lidhjet që kishte Nëna Tereza me presidentët amerikanë. Studiuesi shqiptaro-amerikan, Nicholas Pano analizoi rolin e ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson në historinë e shqiptarëve.

Shqiptari Koli Kristofor apo Nicholas Christopher konsiderohet udhëheqësi i grupit të parë shqiptar të ardhur në Amerikë në vitin 1886. 6 vjet më pas, më 1892 ky grup themeloi komunitetin e parë shqiptar në shtetin amerikan, Masaçusets. Nga ajo kohë, shqiptarët e Amerikës u bënë mbrojtësit kryesore të ekzistencës shqiptare në Ballkan, kurdo që kjo ekzistencë është rrezikuar.

“Ky vit shënon 130 vjetorin e formimit të asaj që unë e quaj Atdheu i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan. Ky ishte grupi prej shtatëmbëdhjetë shqiptarësh, nën udhëheqjen e të nderuarit Nicholas Kristofor, të cilët u vendosën në SHBA. Ata ishin nga fshati Katund, dhe nga kjo bërthamë do të dilte komuniteti shqiptaro-amerikan.
Ky komunitet, për dy dekada, do të bëhej qendra kryesore e jashtme e nacionalizmit dhe patriotizmit shqiptar”, tha një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në SHBA, profesi i Universitetit të Ilinoit perëndimor, Nicholas Pano.

Ai e kujtoi këtë grup gjatë diskutimit në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri – SHBA. Për shkak se shqiptarët në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20 udhëtonin drejt Amerikës me pasaporta të huaja, serbe, rumune apo greke, një nga të panjohurat është sa u rrit numri i shqiptarëve pas vitit 1892. Profesori Pano thotë se llogaritja më e saktë tregon se për 20 vjetët e ardhshëm, numri shkoi nga 10 deri në 20 mijë. Ata ishin kryesisht ortodoksë dhe myslimanë, nga mosha 15 deri 30 vjeç dhe shumica absolute ishin analfabetë. Por, disa prej tyre zëvendësuan rolin e udhëheqësisë që praktikisht mungonte në Shqipëri deri në vitin 1922, periudha e dytë më e rrezikshme pas copëtimit të tokave shqiptare në vitin 1913.
“Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, nëpërmjet organizatës së tij më të spikatur ‘Vatra’ e themeluar më 1912 është shfaqur si avokati kryesor në emër të interesit shqiptar në SHBA, dhe, për shkak se nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe vendi nuk kishte një qeveri efektive, ‘Vatra’ e ka luajtur rolin ‘de facto’ të një qeverie në mërgim”, tha Profesori Pano.

6 vjet pasi “Vatra” u themelua në këtë lagje të Bostonit në Masaçusets, mblodhi 200 mijë dollarë që sipas Profesor Panos për atë kohë kishte fuqinë blerëse të 4 milion dollarëve sot. Me këto para u financua delegacioni shqiptar që shkoi në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, dhe bënë lobim të jashtëzakonshëm në SHBA. Së bashku me rolin e presidentit amerikan Woodrow Wilson që mbështetej në parimin e vetëvendosjes e popujve, shqiptaro-amerikanët bënë që Shqipëria ta mbijetonte Konferencën e Parisit, pa u copëtuar.
“Presidenti Wilson konsiderohet si kampion i pavarësisë së Shqipërisë dhe mendoj se ai e meriton këtë vlerësim. S’mund të thuhet se ai u interesua me detaje për problemin shqiptar, por ekziston një letër ku ai shpreh keqardhjen që nuk e ka ndihmuar Shqipërinë më shumë. Më 5 nëntor 1920 ai i shkroi kryeministrit britanik, Lloyd George këto fjalë:

“Për sa i përket Shqipërisë, unë jam i prirur të besoj se ky problem është trajtuar nga këndvështrimi i gabuar, pra ai i vendosjes së kufijve të Shqipërisë në përputhje me aspiratat e Jugosllavisë dhe Greqisë. Nuk janë marrë parasysh sa duhet aspiratat e vet popullit shqiptar”

“Presidentit Wilson i vinte keq që Shtetet e Bashkuara dhe Fuqitë e Mëdha ishin të pavëmendshme. Ata thjesht hodhën poshtë çdo pretendim shqiptar në lidhje me Kosovën dhe rajonet e Maqedonisë të banuara me shqiptarë”, thotë Profesor Nicholas Pano.

Çështja tjetër jetike për të cilën komuniteti shqiptar dha kontribut të jashtëzakonshëm, ishte ajo e Kosovës.
Ajo që më magjeps është se edhe në kohët e fundit diaspora ndihmoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me armë dhe fonde dhe ndihmoi kauzën e Kosovës gjatë luftërave jugosllave. Pra, përkrahja vazhdoi edhe në kohëra moderne”, vlerëson Profesori i Universitetit Georgetown në Uashington.

Profesori Nicholas Pano thotë se megjithëse herë pas here mes komunitetit ka pasur edhe përçarje dhe mosmarrëveshje …

“Ne kemi potencial që të punojmë bashkë si komunitet. Kemi më shumë para, më shumë talente dhe më shumë njerëz të kualifikuar në komunitetin tonë si asnjëherë më parë. Mund të bëhemi faktorë të mëdhenj. Pyetja është: a do e kemi udhëheqjen e duhur dhe vullnetin që t’ia dalim”.

Profesorja e Universitetit Setton Hall, Ines Murzaku foli për lidhjet e Nënë Terezës me presidentët amerikanë. Më 1985 ajo mori Medaljen Presidenciale të Lirisë nga presidenti republikan, Ronald Reagan. Në vitin 1996, gjatë administratës së Presidentit demokrat, Bill Clinton, Nënë Tereza u bë një nga gjashtë personat e vetëm në botë që u shpall Qytetare Nderi e SHBA-së.

Hillary Clinton e ka thënë që Nënë Tereza është një grua e fortë shqiptare”
“Ajo lindi gjatë Perandorisë Osmane. Nuk kishte Shqipëri, nuk kishte Maqedoni në atë kohë. Ajo nuk mendonte siç mendojmë ne, kur bie fjala për etnitë, nacionalitetet. Por në anën tjetër ajo e ka thënë qartë, gjakun e kam shqiptar. Presidentët amerikanë e dinin, Hillary Clinton e ka thënë që Nënë Tereza është një grua e fortë shqiptare.

“Ajo e donte Shqipërinë, por ajo e donte edhe Indinë dhe çdo vend ku ajo ka shërbyer. Është dëmtim i figurës së saj universale që ta kufizosh etnikisht atë”, tha Profesore Ines Murzaku

Valët e emigracionit shqiptar sollën në Shtetet e Bashkuara edhe objekte të traditës nga vendi i origjinës. Profesorja e Universitetit të Kalifornisë Jugore, Alexis Zoto paraqiti studimin e saj mbi ngjyrat, modelet dhe motivet e velenxave prej leshi nga Korça, që janë në zhdukje e sipër. Ajo po e kryen studimin kryesisht me arkiva shqiptare dhe kontaktet me pasardhësit e emigrantëve shqiptarë në rajonin e Bostonit.
“Disa prej emrave që kam gjetur në arkivin e Tiranës janë Lavenz ose Valens, ndonjëherë është me Z, dhe raste të tjera me C. Një tjetër model i famshëm që është shumë i zakonshëm është ai që ka simbolin e xhamisë. Ka informacion të kufizuar se për çfarë shërbejnë këto.
P.sh. shumë familje ortodokse kanë qilima me simbol të xhamisë. Ky simbol është i përhapur në qilimat e të gjithë ish-Perandorisë Osmane. I kam gjetur në qilimat e Korçës, por edhe në Bullgari. Këto përdoren kryesisht në shtëpitë e njerëzve. Disa njerëz i duan vërtet. Disa njerëz i ruajnë si kujtim që i kanë trasheguar, por nuk e dinë se çfarë të bëjnë me to”, tregon profesorja Alexis Zoto.

Shoqata për Studime Shqiptare në Shtetet e Bashkuara është e përqendruar tek puna akademike për të gjitha aspektet të kulturës, shoqërisë dhe politikës shqiptare në Ballkan dhe në diasporë në mbarë botën.