28 persona ndër të cilët një fëmijë 1 vjeç, janë plagosur mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, pasi autobusi me të cilin ata po udhëtonin është përmbysur në rrugë.

Autobusi me targë TR 5631 U, i linjës Tiranë – Athinë, me 41 pasagjerë, është aksidentuar në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’.

Drejtuesi Ilia F., ka humbur kontrollin e autobusit dhe ka dalë nga rruga e për pasojë mjeti është përmbysur në rrugë.

Pasagjerët janë transportuar në Spitalin Rajonal Gjirokastër ku nga 28 pasagjerë të lënduar, vetëm 12 prej tyre ndodhen në spital për ndihmë të mëtejshme mjekësore, ndërsa të tjerët pas marrjes së ndihmës së parë janë larguar nga spitali.

Sipas burimeve policore, mësohet se të gjithë shtetasit e dëmtuar janë jashtë rrezikut për jetën.

Shoferi i autobusit është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme e ndërkohë po punohet për përcaktimin e shkakut të aksident.