Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Mitrovicë-Pejë në afërsi të fshatit Çubrel, ku tre persona kanë humbur jetën. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skënderajt Fadil Nura.
“Situata është rënduar pas aksidentit në Çubrel, me tri viktima deri tani të konfirmuara nga Policia e Kosovës. Thellësisht i prekur nga ky aksident ku u shuan tri jetë. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjeve”, shkrun Nura.
Ai ju ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
Njoftimi i plotë i policisë:
Sonte rreth orës 18:40, është raportuar për aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skënderajt.
Në këtë aksident janë përfshirë dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë.
Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor.
Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa për hetimet dhe shkaqet e aksidentit po merren hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor.
Lidhur me rastin janë njoftuar institucionet kompetente, IPK-ja dhe Prokurori kompetent të cilët pritet të dalin në vendin e ngjarjes.