Momente tmerri! Një prej policëve, i plagosur rëndë në aksidentin e djeshëm në Kamëz, i shtrirë në tokë, i mbuluar nga gjaku. Nga pamjet e filmuara pak momente pas aksidentit tragjik duken qytetarë të shumtë që përpiqen t’iu vijnë në ndihmë policëve.

Në videon e publikuar nga “Jeta Osh Qef” shihet momenti kur njëri prej efektivëve të plagosur është i shtrirë në rrugë duke luftuar me vdekjen.

Nga videot kuptohet ankthi i madh i qytetarëve që u përballën me skenën si dhe sharjet e tyre kundrejt shërbimit të urgjencës i cili nuk dukej askund.

Aksidenti tragjik ndodhi përballë gjimnazit “Ibrahim Rugova”, ku u përfshinë dy automjete dhe një patrullë policie. Si pasojë mbeti i vdekur Ervin Haxhiaj, një prej efektivëve të policisë, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.

Për aksidentin fatal u arrestua djali i ish-deputetit socialist Ndue Kola, Arnold Kola. I riu udhëtonte me automjetin e tij tip fuoristradë “Lexus” me 150 km/orë dhe në gjendje të dehur kur në afërsi të shkollës “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ka përplasur furgonin e policisë, që patrullonte me 20 km/orë në anë të rrugës.