Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Eldi Allushin, pronarin e automjetit tip “BMW X6” që u aksidentua te diga e Liqenit Artificial pak ditë më parë.

Mësohet se Allushi akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Makina ishte drejtuar nga Emiljano Nina, i cili është shpallur në kërkim nga policia pasi pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes. Ai rezulton i skeduar dhe i arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale, por ndërkohë ende nuk është gjetur nga policia.

Emiljano Nina akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Nina, duke drejtuar automjetin “BMW”, në pronësi të shtetasi Eldi Allushit, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi Jurgen Allushi, i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.