Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar sot në gjykatë dosjen hetimore për djalin e ish-deputetit që aksidentoi patrullën me 3 policë. Si pasojë e përplasjes së fortë njëri prej policëve humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën.

Për Arnold Kolën, prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

22- vjeçari akuzohet për “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim automjeti në gjendje të parregullt”.

Po sot është zbardhur dëshmia e tij, i cili sipas burimeve, ndërsa është marrë në pyetje ka shprehur pendesë, por ka deklaruar se ka qenë tepër shpejt dhe nuk ka mundur të frenojë, kur ka parë përballë dritat e furgonit të policisë.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës përballë shkollës “Ibrahim Rugova” në Kamëz, kur Kola, që udhëtonte me një automjet tip “Lexus” godit furgonin e policisë që patrullonte me 20 km në orë.

Arnold Kola rezulton të ketë qenë dënuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur edhe në vitin 2015.