Teksa çështja e marrjes së komandës së kanalit kombëtar “Top Channel” ka shkuar në Gjykatën e Apelit, paditësit Albert Sino dhe Aurel Baçi, dy aksionerët e tjerë të televizionit, kanë shprehur rezerva të forta ndaj trupit gjykues të caktuar për të vlerësuar masën e dhënë nga Gjykata e Faktit.
Treshja e përbërë nga Zamir Poda, Agim Bendo dhe Zeqine Sollaku është pritur me pakënaqësi nga pronarët e 60% të aksioneve të kanalit që tashmë i është lënë në administrim për fazën kalimtare Vjollca Hoxhës, ish bashkëshortes së pronarit të ndjerë Dritan Hoxha.
Ndërsa ata tashmë kanë depozituar një shkresë me anë të së cilës kërkojnë heqjen e Agim Bendos nga gjykimi për shkak të precedentëve të marrëdhënieve problematike të tij me “Top Channel”-in, duket se pakënaqësi ka ngjallur edhe prania në trupin gjykues e Zeqine Sollakut.
Sipas burimeve pranë zyrës ligjore që po trajton çështjen për llogari të bashkëpronarëve, paanësia e gjyqtares Sollaku konsiderohet e kompromentuar për shkak të afrisë së saj familjare me njërën nga palët në konflikt, e përkatësisht me Vjollca Hoxhën.
Është tashmë një fakt i njohur publik lidhja e fortë shoqërore midis dy vajzave të tyre, Adela Sollaku dhe Lori Hoxha, të cilat jo rrallë shfaqin përmes fotove dhe videove afrinë e tyre. Javën e fundit madje, teksa në Apel pritej të gjykohej çështja ku Zeqine Sollaku do të merrte vendimin nëse “Top Channel” duhej t’i mbetej apo jo nën administrim Vjollca Hoxhës, dy vajzat e tyre shfaqeshin në plazhet e ishujve tropikalë Maldive duke u argëtuar dhe festuar së bashku.
Kjo afërsi është gjykuar nga pala paditëse si konflikt interesi dhe për këtë arsye ajo pritet të kërkojë nesër në Apel, zëvendësimin e gjyqtares Sollaku.
Marrë nga Lapsi.al





