Valbona Sako jep dorëheqjen si kryebashkiake e Durrësit. Sako njofton dorëheqjen në rrjetin social "Facebook", ku shkruan:

"E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës.

Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve".

Sako tha dje gjatë një interviste se ishte e kënaqur që tërmeti shkatërrimtar shkaktoi 51 viktima, pasi në raste të tjera këto lloj tërmetesh shkaktojnë mbi 1000 viktima.

Kryebashkiakja u shpreh e keqardhur në një reagim të mëvonshëm që deklaratat e saj janë keqkuptuar nga njerëz dhe media të caktuara.

Sako sqaroi se “qoftë edhe humbja e një jete është tragjedi për një komb. Dhimbje për 51 jetët e humbura, dhe e lumtur për shpëtimin e qindra mijërave të tjerëve”.

Por mëngjesin e këtij 1 dhjetori, teksa kanë kaluar 5 ditë nga tërmeti shkatërrimtar dhe 5 muaj nga marrja e detyrës në krye të bashkisë, Valbona Sako njoftoi dorëheqjen si kryebashkiake e Durrësit.