3800 familje të mbetura pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 ende nuk kanë marrë bonusin e qirasë për muajin janar.

Sot, kur data shënon 26 janar, thesari i shtetit nuk ka lëvruar shumën e nevojshme për subvencionimin e qirasë të këtyre familjeve.

Të shumtë janë qytetarët që kanë kontaktuar me redaksinë e “DurrësLajm”, pasi rrezikojnë që pronarët e banesave me qira t’i nxjerrin jashtë, pasi nuk kanë paguar ende paratë.

Sipas bashkisë Durrës, pushteti vendor ashtu si çdo muaj e ka përgatitur në kohë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për bonusin, por vonesat nga thesari janë shkaku pse në llogaritë bankare të 3800 familjeve nuk ka kaluar ende bonusi i muajit janar.

Ndërkohë, 14 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, janë riparuar 280 pallate me dëmtime në nivelin DS1-DS3. Sipas burimeve zyrtare të bashkisë, pjesa e mbetur nga 615 pallate në total, të cilat do të riparohen nga firmat private fituese të tenderave të zhvilluara nga Ministria e Rindërtimit, do të përfundojë në periudhën në vazhdim.

Aktualisht janë 181 familje që kalojnë dimrin e dytë në çadra dhe janë në pritje të përfundimit të shtëpive të reja. Një ditë më parë, kryeministri Rama ishte në njësinë administrative Manzë për të dorëzuar çelësat e shtëpive të reja në 4 familje të kësaj zone.

Ndërkohë janë 1033 familje që përfitojnë banesa të reja individuale në të gjithë Bashkinë e Durrësit.

Përveç familjeve që presin ndërtimin e shtëpive të reja, ngërçi i procesit të Rindërtimit në Durrës mbeten pallatet me dëmtime DS4, të cilat nuk janë jo pak, por plot 123 godina shumëkatëshe, të braktisura nga banorët që nga mëngjesi i frikshëm i fundnëntorit 2019.

Nga pallatet e shembura, vetëm në dy prej tyre kanë nisur punimet, ndërsa tek të tjerët pritet hapja e dritës jeshile për rindërtimin e tyre.

Edhe projekti i lagjes së re në Spitallë është ende në letër, pasi në terren nuk kanë nisur akoma punimet, për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për këtë zonë ku pritet të ndërtohen komplekse banimi jo vetëm për banorët e prekur nga tërmeti, por edhe banesa sociale për familjet e pastreha të bashkisë Durrës.

M.B.