Gjykata e Apelit në Durrës ka ndryshuar sot masën e sigurisë për Alket Hatijan, bosin e drogës që kërkohet nga autoritetet italiane, duke vendosur arrest me burg.

Alket Hatija, 45 vjeç, është arrestuar javën e parë të korrikut në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Por, Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit vendosi detyrim paraqitjeje me arsyetimin se Hatija ishte arrestuar disa vite më parë në vendin tonë për trafik droge dhe e kishte kryer dënimin.

Prokuroria ankimoi këtë vendim duke kërkuar lënien e tij në burg me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Alket Hatija është dënuar nga Gjykata e Milanos në vitin 2015 me 20 vite burg për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka urdhëruar një javë më parë hetim disiplinor për gjykatësin Petraq Curri që liroi Hatijan duke rrëzuar Prokurorinë e Durrësit.