Specialistët e Kufirit në Durrës kanë kapur mbrëmjen e djeshme dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet maqedonase për vjedhje me armë.

Specialistët e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës, në Pikën e Kalimit Kufitar Port- Durrës kanë bërë të mundur kapjen e dy shtetasve A. HASANI 30 vjeç dhe A.BELURI  33 vjeç, të dy banues në Maqedoni.

Sipas policisë së Durrësit, Prokuroria e Gostivarit, më datë 10.07.2017, me vendim nr.KO1 br.144/17  ka nxjerrë urdhër arresti me burg ndaj shtetasve të mësipërm për veprën penale “Vjedhje me armë” sipas nenit 237 të Kodit Penal Maqedonas.

Ky arrestim vjen në të njëjtën ditë, kur në portin më të madh të vendit uniformat blu zhvilluan operacione blic. “DurrësLajm” raportoi se brenda rrethimit të portit policët morën në kontroll fizik kamionë të shumtë, madje edhe makina të vogla të cilat kanë qenë në qarkullim brenda në port, duke pasur si qëllim goditjen e rasteve flagrante të trafikut të drogës nga porti i Durrësit drejt  Europës.