Besimtarët myslimanë festojnë ditën e premte festën e Kurban Bajramit, festa e dytë për nga rëndësia në kalendarin islam.

Për shkak të pandemisë Covid-19, falja e Kurban Bajramit do të mbahet në ambientet e jashtme të Xhamisë së Madhe të Durrësit. Për këtë arsye, Myftinia ka marrë të gjitha masat për respektimin e protokollit të sigurisë dhe ka vendosur në oborrin e xhamisë vijëzimet përkatëse për t’u garantuar besimtarëve distancimin fizik.

Imami i kësaj xhamie, Ervin Qylafku, në mesazhin e tij për besimtarët myslimanë bën për apel për solidarizim mes njerëzve, jo vetëm gjatë kësaj dite të shënuar, por përgjatë gjithë ditëve të vitit.

“Simbolika e kësaj feste nuk është vetëm derdhja e gjakut, që nënkupton sakrifikimin, por e rëndësishme është që kushdo nga ne të sakrifikojë duke hequr dorë nga të gjitha veprimet që janë të dëmshme për shoqërinë”,– thotë imami Qylafku.

Por çfarë simbolizon Kurban Bajrami?

Sipas traditës islame, kjo festë nderon gatishmërinë e Ibrahimit që të flijojë djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”.

Ushqimet për Kurban Bajramin

Sigurisht përbërësi kryesor që zë vend në tavolinën e festës së Kurban Bajramit është mishi i therur për këtë festë.

Mishi nga kafsha e flijuar, ndahet në tre pjesë: Familja mban një të tretën; një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa një e treta e mbetur u ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Zakonisht për këtë festë një nga pjatat që nuk mungon është supa.

Supë e thjeshtë me lëng mishi, vezë, limon, pak miell dhe erëza.

Byrek me barishte ose vezë dhe djathë, ose vezë me kos

Sigurisht mishi nuk mungon asnjëherë në tavolinën e kësaj feste. I pjekur në furrë me patate ose thjesht i gatuar për t’u vendosur në anë të pjatës me orizin e gatuar.

Sallatat e çdo tipi, me perime të gatuara, të freskëta etj.

Së fundmi në “modë” janë futur dhe gatimet e prodhimeve të detit. Lëreni fantazinë t’ju udhëheqë në kuzhinë.

Ndërsa ëmbëlsirat më të preferuara janë sigurisht ato tipike turke: bakllavaja, revanija, shëndetlia, sheqerparet, por sigurisht mund ta kaloni gëzuar dhe me ndonjë tortë të blerë apo ëmbëlsirën që preferoni.

Duhet të keni parasysh që në tavolinën e Kurban Bajramit nuk duhet të ketë asnjë gatim me mish derri dhe asnjë pikë alkool.