Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe dy personave që e shoqëronin ka bërë që policia e Durrësit të jetë në gjendje gatishmërie dhe me masa të përforcuara.

Para Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës ndodhen edhe mjete të blinduara të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana, siç duket edhe në pamjet filmike të videos së mëposhtme.

Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana kanë mbërritur pasditen e djeshme në Durrës dhe kanë ushtruar kontrolle në të gjithë qytetin bregdetar.

Shumë persona janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tyre lidhur me rrethana të ngjarjes, por deri më tani nuk ka asnjë person të ndaluar për atentatin.

Pasditen e së premtes, ndaj automjetit ku udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, personi me precedent penalë Landi Muharremi alias Aleksandër Laho dhe shoferi Andi Maloku u krye një atentat, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Të tre personat mbetën të plagosur, por Maloku është personi që është më rëndë, pasi prokurori dhe Muharremi janë tashmë jashtë rrezikut për jetën.