I gjendur në mes të Durrësit sheshi "Veliera" ka lënë një impakt jo të mirë tek mijëra turistë që na kanë vizituar këtë sezon veror.

Sheshi i lënë përgjysmë ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare për shkak se çështjet gjyqësore të hapura në mënyrë të njëpasnjëshme në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe atë Administrative prej më shumë se dy vitesh nga ana e Shoqërisë Civile, e cila nuk pajtohet me realizimin e këtij projekti, ka sjellë edhe pezullimin e tij.

Gjykata Administrative e Durrësit e cila e zvarriti për më sumë se një vit vendimin nuk i dha asnjë zgjidhje, kërkesës së Shoqërisë Civile për anullimin e projektit, dhe as zgjidhje kërkesës së Bashkisë për heqjen e sekuestros preventive që mban të bllokuara punimet.

Çështja është në Gjykatën Administrative të Apelit e cila pritet të shprehet në fund të muajit shtator. Ajo që bie në sy sa herë që kalon në këtë shesh, është pamja e shëmtuar që i paraqitet syve të çdo kujt, e aq më shumë turistëve që na vizitojnë.

Zbulimet arkeologjike në zonën A dhe ngritja e dy këmbëve të Velierës sipas Shoqërisë Civile në zonën arkeologjike, ka bërë që projekti të mbetet i pazbatuar.

Zërat pro e kundër projektit janë të shumtë, por i humbur në këtë mes është pikërisht i gjithë qyteti, dhe biznesi turistik, sepse një pamje e tillë nuk lë aspak shijen e mirë tek ata që na vizitojnë.    

Sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Vlera e të gjithë këtij projekti, do të jetë rreth 4 milionë dollarë.

Arkitekti i njohur italian, drejtues i studios "Archea", Marco Casamonti, ka prezantuar me detaje teknike projektin e ri "Veliera" i cili sipas tij, do të jetë një nga simbolet moderne të Durrësit. Ajo që sot është veçse një vendkalim makinash i mbingarkuar nga trafiku dhe nga kalimi i pandalur i automjeteve, së shpejti do të kthehet një hapësirë për këmbësorin, për argëtimin dhe një pikëtakimi në ambient të hapur por e mbuluar.

Për të simbolizuar idenë e komunitetit kontribuon një tendë e madhe guri e mbështetur mbi katër pika në mënyrë që të krijojë hije dhe mbrojtje për sheshin nën të, i cili nga ana e tij shërben si mbulesë e rrugës së automjeteve që do të jetë nën tokë në mënyrë që të eliminohet trafiku automobilistik pikëtakimi perpendikular i dy nga arteriet kryesore urbane do të shfaqet si një skenë natyrale për qytetin ku njerëzit mund të qëndrojnë, ku mund të organizohen shfaqe dhe evente, dhe ku konsolidohet dhe konkludon aksi i gjatë që të çon nga sheshi i Bashkisë për në det.

Tenda është rreth 60 metra e gjatë dhe 40 metra e gjerë, dhe mbështetet vetëm në katër pikat kulmore të përbëra nga po aq shufra të stabilizuar në inoks çelik, si direku i një anijeje me vela, nga katër kavot të cilat të kujtojnë tamam litarët e përdorur në anijet me vela. Ashtu si përkulja e tendë-mbulesës, edhe dyshemeja e sheshit nën të do të ketë një përkulje në mënyrë që të reduktohet gërmimi i nënkalimit dhe të ngjishet hapësira e sheshit deri në gropën qendrore. Ky i fundit jo vetëm përbën sistemin e kullimit të ujërave nga mbulesa në rast shirash, por përfaqëson edhe një lloj “Syri” që reflekton dritën e diellit duke riprodhuar në dyshemenë e mermertë, si te Panteoni, fuqinë e dritës.

K.H.