Ditën e martë mbushen 2 javë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, por frika dhe traumat tek banorët e Durrësit nuk kanë kaluar ende. Tashmë, kur edhe forca e pasgoditjeve është pakësuar ndjeshëm, me mijëra qytetarë ndjejnë pasiguri për të ardhmen e tyre. Kjo për shkak se numri i banesave dhe pallateve të pabanueshme në qytetin bregdetar është mjaft i lartë.

Janë me qindra familje, të cilave u duhet të gjejnë një tjetër shtëpi, derisa të riparohen godinat e dëmtuara. Ndërsa gjatë kësaj periudhe, një pjesë e konsiderushme e banorëve kanë gjetur strehim në hotele, në Kosovë apo tek të afërmit, rikthimi i normalitetit përkthehet në sistemimin në një banesë provizore.

Që në ditët e para pas tërmetit, DurrësLajm pati kontaktuar me zyrtarë të bashkisë, të cilët pohuan se numri i apartamenteve apo shtëpive që mund të jepen me qira nuk janë të mjaftueshme për të përballuar fluksin e lartë të kërkesave për strehim të qytetarëve. Një fakt i tillë u pohua sot edhe nga kryeministri Rama në mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit. Sipas Ramës, po shihet mundësia që banorë të Durrësit, të mbetur pa shtëpi, të sistemohen në zonat perëndimore të kryeqytetit, por kjo lëvizje do të nënkuptonte të tjera vështirësi për banorët e dëmtuar.

Fakti që Durrësi nuk ka kapacitetet e mjaftueshme për të ofruar shtëpi me qira për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti pranohet edhe nga agjencitë imobiliare që ushtrojnë aktivitetin në qytetin bregdetar.

DurrësLajm ishte në disa prej tyre dhe sipas agjentëve imobiliarë, stoku më i madh i apartamenteve bosh apo që jepen me qira ishte në zonën e plazhit, e cila është dhe ndër të goditurat më rëndë nga tërmeti. Drejtuesja e Dea Lines, Arjana Isaku thekson se në qytet, pjesa më e madhe e shtëpive me qira kanë qenë të zëna nga të huaj që punojnë në Durrës apo studentët e UAMD-së. Por tani që shumë apartamente në pallatet shumëkatëshe janë shpallur të pabanueshme do të ketë shumë studentë që do duan të sistemohen në mjedise të reja dhe të sigurta.

Rritja e kërkesës për shtëpi me qira pas 26 nëntorit pranohet edhe nga Marsida Guma, menaxhere e Century 21, New Day. Guma përjashton mundësinë që pronarët e apartamenteve apo shtëpive të rrisin çmimet e qirave në këtë periudhë, pasi sipas saj ata janë të detyruar të respektojnë kontratën që kanë lidhur me agjencinë. Por këtu nuk përjashtohet fakti, që pronarë shtëpish që i gjejnë vetë qiramarrësit të ofrojnë një çmim më të rritur, duke parë kërkesën e madhe të tregut këto ditë. Shumë qytetarë të Durrësit që po shpërngulen nga banesat e tyre këto ditë pranojnë se shumë pronarë u ofrojnë çmime banesash me qira në euro, ndërkohë që qytetarët i kanë të ardhurat në lekë. Në fundjavë, në një intervistë për DurrësLajm, nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri, u bëri apel të gjithë qytetarëve që kanë ambiente që i lëshojnë me qira, t’i japin ato me çmime të arsyeshme dhe të mos përpiqen të abuzojnë nga situata kritike që po kalojnë mijëra bashkëqytetarë të tyre. Çmimi më i ulët i një banese me qira në Durrës (kryesisht në zona periferike) është 15 mijë lekë të reja në muaj. Zakonisht këto banesa ofrojnë kushte minimale jetese. Ndërkohë ambientet e mobiluara dhe në zonat më të shtrenjta të Durrësit kapin vlerat 300-400 euro.

Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi ditën e shtunë listën me 660 familje që do të përfitojnë nga bashkia bonusin e qirasë. Për të përfituar prej tij, qytetarët e mbetur pa shtëpi në Durrës duhet të paraqesin pranë bashkisë 4 dokumente: vërtetimin nga njësia administrative/lagjja që banesa rezulton e pabanueshme; Akt Konstatimin nga Instituti i Ndërtimit ku të përcaktohet si godinë e pabanueshme, ose për t’u prishur (dokument i disponueshëm pranë Bashkisë Durrës/njësisë administrative përkatëse); çertifikatën familjare dhe të dhënat e llogarisë bankare.

Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda tha se vlera e pagesës së qirasë mujore do të jetë në varësi të madhësisë së familjes, tipit të banesës dhe nivelit të çmimit mesatar në treg.

E ndërsa kërkesa për ambiente është mjaft e lartë pas 26 nëntorit, lëkundja sizmike ka shkaktuar një “tërmet” të vogël përsa i përket shitblerjes së shtëpive.

Agjentët imobiliarë që veprojnë në Durrës pranojnë që në kontratat e reja të shitblerjes do të përfshihen edhe akt ekspertimet e apartamenteve apo shtëpive, pasi qytetarët tashmë kërkojnë garanci të shtuara për sigurinë e banesës që do të blejnë. Menaxherja Guma shprehet se këto ditë, në degët e Century 21 po vihet re një tendencë drejt Vlorës për të blerë apartamente në bregdet, duke evituar Durrësin, Shkëmbin e Kavajës apo Golemin.

Nga ana tjetër, agjentja Isaku shprehet se pavarësisht një stopimi momental, situata në tregun imobiliar pritet të ndryshojë nga 1 janari, kur hyn në fuqi amnistia e bërë nga qeveria për rivlerësimin e pronave të patundshme nga 15% në 3%. Sipas Isakut, kjo amnisti do t’i japë frymëmarrje tregut dhe do të rinisin shitblerjet e pasurive të paluajtshme në Durrës.  

Nga një qytet me shtëpi private 2-3 katëshe dhe pallate maksimumi 6 katëshe deri në vitet 90, Durrësi u transformua, sidomos në shekullin XXI, në një qytet me ndërtime shumëkatëshe, të ngritura shpeshherë shumë afër njëri tjetrit, pa respektuar distancat e nevojshme. Në 26 nëntor, tërmeti 6.3 ballë, i orës 03.54, nxorri në pah abuzimet e bëra gjatë ndërtimit të pallateve, ambienteve për biznes apo shtëpive private.

Nga të dhënat paraprake të Shtabit të Emergjencës, rezulton se nga 1963 objekte të inspektuara në Bashkinë Durrës, 639 janë të pabanueshme dhe 88 për t’u prishur.

M.B.