Qarku i Durrësit, i fundit qark që nisi procesin e numërimit po shkon drejt fundit.

Në KZAZ nr.21, e vetmja në qytet, ku numërimi nuk ka përfunduar ende po hapen kutitë e njësisë administrative Katund i Ri, e vetmja nga ish-komunat, ku në vitin 2017 PD doli forcë e parë.

Në Durrës kanë mbetur për t’u numëruar 15 kuti, ndërsa në KZAZ nr.20 në Krujë 13 kuti.

Nga një vëzhgim që “DurrësLajm” u bëri rezultateve të 4 njësive administrative të bashkisë Durrës (në të cilat ka përfunduar numërimi) rezultoi se ato që gjatë fushatës propagandoheshin nga drejtuesi politik dhe kandidatët për deputetë si ish-bastione që do të riktheheshin sërish me rezultat pozitiv për PD nuk kanë rezultuar aspak të tilla.

Kështu, Rrashbulli, Ishmi dhe Manza kanë regjistruar fitore të PS, që është renditur në të treja forcë e parë.

Përjashtim bën vetëm njësia administrative Sukth, e vetmja që i ka “ruajtur” nderin PD-së. Në këtë NJA, që kishte 31 kuti votimi, në përfundim të procesit të numërimit PD ka grumbulluar 3791 vota, PS 3650 vota dhe LSI 704 vota.

Koordinator i fushatës së PD në njësinë administrative Sukth është Osman Stafa, ish-kreu lokal i degës së Durrësit, i cili u hoq nga kryetar pas humbjes së thellë që PD regjistroi në zgjedhjet lokale të vitit 2015, kur Vangjush Dako kandidonte përballë Grida Dumës për postin e kryebashkiakut. Mesa duket, Stafa dhe Sukthi ishin të vetmit që nuk u mundën nga PS në Durrës.

Pritet të shihet tani pas numërimit të kutive të Katundit të Ri, i njohur si bastion i PD, nëse selia blu në Durrës do të mund të rezultojë edhe në një tjetër NJA fituese, apo Sukthi do të jetë “kalaja” e fundit e demokratëve,

M.B.