Çështja gjyqësore “Veliera” pritet të përfundojë në SPAK.
Të paktën kjo është kërkuar sot në sallën e gjyqit të Gjykatës së Durrësit, ku Shoqëria Civile ka paditur 5 institucione për shkatërrimin e monumenteve të kulturës. Aktivisti Sazan Guri pas daljes nga gjykata deklaroi se “pasi morëm vesh se Prokuroria kërkonte ta pushonte çështjen e ngritur nga akuzat e Shoqërisë Civile që vinte përballë përgjegjësisë juridike shumë institucione, për papërgjegjësi dhe shkatërrim të vlerave publike dhe monumentale në kundërshtim me ligjin e Mbrojtjes së Monumenteve, i kërkuam gjykatës pushimin e çështjes në gjykim, për moskompetencë juridike dhe për ta trasnsferuar atë në SPAK. Gjykata na dha të drejtë për këtë kërkesë dhe na la afat deri në muajin shtator për të paraqitur dokumentet që ne disponojnë”.
Guri ekspozoi para kamerave objekte arkeologjike të fotografuara me parë me profesorin Aleksandër Gjonië në vendin ku ndodhet Veliera dhe që sipas tij janë zhdukur. Aktivisti Guri ka bërë me dije se janë objekte që u përkasin 7 shtresëzimeve arkeologjike me një periudhë kohore mbi 3000-vjeçare, të kulturës iliro-pellazgjike.