Pushime verore po u vjen fundi dhe në muajin shtator pritet të mbahet mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak Durrës. Këshilli i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit u konstituua më 2 gusht, duke zgjedhur si kryetar Ani Dyrmishin dhe nënkryetare Zamira Mustafarajn.

Nga 51 anëtarë që ka këshilli gjithsej, 46 i takojnë PS-së, 1 anëtar është i BD-së, ndërsa 4 anëtarët e tjerë janë nga partitë aleate të Partisë Socialiste.

Për herë të parë në historinë e tij, Këshilli dominohet në shumicë absolute nga këshilltarët e PS-së, pas bojkotimit të zgjedhjeve nga opozita.

Ndërkohë, raporti gjinor është thuajse 50-50%, duke qenë ky një rekord më vete. Gjithsesi, cilësia e këshilltarëve meshkuj dhe femra mbetet për t’u zbuluar gjatë mbledhjeve të Këshillit, pasi shumë prej tyre futen për herë të parë në këtë organ vendimmarrës.

Nga ana tjetër, për herë të parë, Këshilli Bashkiak i Durrësit ka në përbërje të tij shumë persona të rinj në moshë.

Nga një vëzhgim që DurrësLajm u bëri moshës së përfaqësuesve të PS-së në Këshill janë plot 23 këshilltarë që kanë lindur në vitet ’80 dhe ’90, duke qenë kështu në të njëzetat dhe tridhjetat e tyre. Edhe kryetari Ani Dyrmishi dhe kreu i grupit të këshilltarëve të PS, Arben Isaku janë në moshë relativisht të re, respektivisht 35 dhe 42 vjeç.

Nga PS, këshilltari më i madh në moshë është Mahmut Arif Mani, i ditëlindjes 1959, pra 60 vjeç, ndërsa më të rinjtë janë Jurgen Luan Zaza (djali i kryetarit të PS-së Durrës) dhe Eni Hamid Karaboja, të dy të ditëlindjes 1994, pra 25-vjeçarë.

Duket se në këto zgjedhje ku nuk pati rivalë të drejtpërdrejtë, PS-ja e Durrësit preferoi t’i jepte një frymëmarrje të re Këshillit Bashkiak dhe pse jo duke “shpërblyer” me një vend në parlamentin e qytetit disa prej atyre që në të ardhmen mund të jenë figurat kryesore të saj në qytetin bregdetar.

M.B.