Mbrëmjen e sotme, shëtitorja “Taulantia” në Durrës ofronte një pamje tjetër. Pas rreth 1 viti e gjysëm nga nisja e investimit për rikonstrksionin e saj, shëtitorja ishte e ndriçuar.

Ndërsa investimi i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është drejt përfundimit dhe në nëntor pritet të bëhet dorëzimi i saj, një nga vendet më të frekuentuara nga durrsakët vezullonte nga dritat.

Përgjatë muajve të verës, kur kjo zonë është mjaft e frekuentuar çdo natë nga mijëra qytetarë, shpeshherë këta të fundit ngrinin shqetësimin që e gjithë shëtitorja ishte e pandriçuar. Në orët e vona, nëse zgjidhje të shëtisje përgjatë saj, ndriçimi i vetëm vinte nga dritat e lokaleve dhe restoranteve buzë detit dhe hëna në qiell.

Fondi i Zhvillimit Shqiptar [FZhSh] investoi për rikonstruksionin e shëtitores “Taulantia” fondin prej rreth 363 milionë lekë të rinj ose 2,8 milionë euro.

Info nga projekti i FShZH-së:

Shëtitorja në hapësirë përfshn zonën nga porti dhe përfundon te Sfinksi. Punimet në këtë zonë përfshijnë shembjen e murit ekzistues, sipas kuotave të parashikuara, ndërkohë që janë ndërtuar shkallaret drejt detit.

Ndërhyrjet janë të tipologjive të ndryshme, për të krijuar një zonë multifunksionale me:

  • hapësira publike
  • sheshe
  • hapësira të gjelbëruara
  • sistem i ri ndriçimi
  • parqe për aktivitete sportive
  • kënde lojërash për fëmijë.
  • lidhje me vijën bregdetare
  • kënde për spektakle dhe evenimente të vogla.

Projekti për rikonstruksionin e shëtitores pritet ta transformojë atë në një hapësirë në shërbim të komunitetit.

Ndërkohë, pjesë e projektit është edhe ndërtimi i ‘Sheshit mol’ në të cilin janë projektuar të mbillen pemë në të gjithë gjatësinë e tij, i cili rikthen lidhjet me zonën ku ndodhet Torra Veneciane dhe me portin e ri duke u zgjatur më pas në det.

Ndërsa, monumenti ekzistues nuk do të preket, por do të qëndrojë brenda në park, ku do të aksesohet direkt nga sheshi i hyrjes.

Projekti financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me bashkinë Durrës.