Nis rindërtimi i banesave të shpallura të pabanueshme në bashkinë e Durrësit nga lëkundjet e forta të tërmetit të datës 21 shtator. Me një fond prej 1.6 milion euro të akorduar nga buxheti i shtetit ka nisur ndërtimi i 99 banesave që u dëmtuan më rëndë nga lëkundjet sizmike.

Nisjen e procesit të rindërtimit të shtëpive e njoftoi paraditen e sotme, kryetarja e bashkisë, Valbona Sako, e cila në një postim në rrjete sociale shkruan: “Pasi kaluam me sukses fazën e parë të emergjencave nga pasojat e tërmetit të fortë të 21 shtatorit, kemi nisur nga puna për rindërtimin e shtëpive sikurse premtuam. Sfida tani është që të bëjmë të lumtura të gjitha familjet që kanë shtëpi të pabanueshme me një banesë të re”.

Pas interesimit të DurrësLajm pranë institucionit të pushtetit lokal, mësuam se ndërtimi i banesave të reja është marrë përsipër nga dy kompani, 4AM dhe Euroalb, të cilat janë shpallur fituese të tenderit të zhvilluar nga Emergjencat Civile.

Nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri, i cili e ka ndjekur nga afër procesin e konstatimit dhe vlerësimit të banesave të prekura nga tërmeti dhe përllogaritjen e faturës financiare të dëmeve shprehet se së shpejti të gjitha familjet e mbetura pa shtëpi, së shpejti do të kenë mundësi të futen në godinat e reja. Pritet që të nisë puna edhe për rikonstruksionin e pallatit të shpallur të pabanueshëm në sektorin Iliria, në plazhin e Durrësit, si dhe në katin e dytë të një pallati po në lagjen nr.13. Ndërsa tek një pallat pranë Kolaudimit në Shkozet pritet ndërhyrja për forcimin e kolonës që ka mbetur e dëmtuar nga tërmeti 5.8 ballë.

Nënkryetari Tahiri thotë se brenda pak ditësh, fondacioni kuvajtian “Mirësia” do të nisë rindërtimin e shtëpisë së shtetasit Altin Kurti, në njësinë administrative Manëz.

Kjo do të jetë faza e parë e ndërhyrjes në terren, pasi në vazhdim do të procedohet edhe për ndërtesat e tjera që kanë mbetur të dëmtuara nga tërmeti i datës 21 shtator.

Lëkundja e fuqishme e tokës la pas një faturë të kripur financiare për bashkinë e Durrësit, pasi 99 shtëpi u shpallën të pabanueshme, ndërsa rreth 1700 të tjera mbetën të dëmtuara, ndërsa vlera e dëmit i kalon 4 milion euro.

Riparimi i dëmeve do të mbulohet në pjesën më të madhe nga buxheti i shtetit, pasi bashkia e Durrësit nuk ka mundësi financiare të përballojë një dëm kaq të madh. Në ditët e para pas tërmetit Këshilli Bashkiak Durrës miratoi akordimin e fondit 10 milionë lekë, ndërsa Këshilli Bashkiak i Tiranës dhuroi 20 milionë lekë, për të përballuar dëmet e shkaktuara në terren nga lëkundja sizmike 5.8 ballë.

M.B.