Është mbyllur gara për vakancat në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) pas shkarkimit nga Vettingu të dy anëtarëve, Besnik Cani dhe Arben Dollapaj.

Në garë janë 5 prokurorë: dy nga prokuroria e Vlorës,  një nga Durrësi, një nga Berati e një nga Tirana.

Bert Kuliçi dhe Elona Alvora janë dy prokurorët e Vlorës që garojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Brenda javës pritet që Prokuroria e Përgjithshme të nxjerrë datat e votimit sipas prokurorive.

Cani u shkarkua nga posti i prokurorit për shkak të problemeve me pasurinë, vendim i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit çka solli edhe humbjen e mandatit si anëtar KLP-je.

Për të njëjtin shkak, për probleme me pasurinë u shkarkua edhe Arben Dollapaj.

Aktualisht KPL ka 9 prokurorë, nga 11 që është numri i plotë i saj.

Plotësimi i vakancave ishte parashikuar që të bëhej që në nëntor por Prokuroria e Përgjithshme pezulloi aplikimet pas urdhrit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për të ndaluar grumbullimet në vende të mbyllura apo të hapura.