Disa persona, siç duket familjarë me njëri-tjetrin pasi dy prej tyre janë një çift pleqsh dhe një tjetër është fëmijë, kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve të rastësishëm sot pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës.

Ata kanë ndaluar me dy makina, kanë nxjerrë një dash dhe po e bëjnë kurban në mes të autostradës Durrës-Tiranë, siç mund ta shihni edhe në fotot që publikon "DurrësLajm".

Vendi sigurisht që është i papërshtatshëm për therjen e bagëtive, por ndoshta mund të lidhet me një fakt tjetër.

Fiks në këtë vend, dy javë më parë më 1 nëntor, iu bë atentat prokurorit Arjan Ndoja, që po udhëtonte në makinë me Aleksandër Lahon i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut dhe shoferin Andi Maloku.

Nga atentati, humbi jetën pas disa ditësh në spital shoferi Andi Maloku, ndërsa prokurori Ndoja dhe Rrumi i Shijakut ndodhen jashtë rrezikut për jetën, për të cilët nuk është zbardhur ende se cili prej të dyve ka qenë shënjestra e atentatit apo nëse kanë qenë që të dy bashkë.

Therja e kurbanit bëhet nga besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, apo edhe në raste të tjera, kur një person vendos që të therë një kafshë për hir të Zotit që ka arritur një qëllim ose ka shpëtuar nga diçka e keqe.

S.L.