E diela në Durrës ka qenë një ditë mjaft e ngarkuar për drejtuesit e automjeteve. Pas stresit të shkaktuar prej qëndrimit në rradhë të gjata që u krijuan në mesditë në rrugën “Taulantia” deri në Currila, edhe mbrëmja duket se ofron të njëjtën panoramë.

Këtë herë, fotot dhe pamjet filmike na vijnë nga rrethrrotullimi pranë bustit të Azem Hajdarit, ku duket qartë se mjetet që qarkullojnë në këtë aks lëvizin me vështirësi, për shkak të morisë së madhe të autoveturave.

Ngrohja e motit në fundjavë nxorri qartë në pah problematikën me rrugët e Durrësit, që pas zgjerimit të trotuareve, ngushtimit të akseve kryesore dhe për më tepër vështirësisë për të gjetur një vend parkimi, të lëvizësh me makinë të kalit durimin.

Kjo ndodh në një kohë kur Durrësi përballet me numrin normal të automjeteve që qarkullojnë në rrugë, ndërkohë që situata pritet të përkeqësohet më ardhjen e pranverës dhe verës. Rradhë të gjata automjetesh në rrugën “Egnatia”, “Taulantia” apo “Aleksandër Goga” mund të jenë në muajt në vazhdim panoramë e zakonshme në qytetin bregdetar.