Vihet nën kontroll zjarri që përfshiu pasditen e sotme një sipërfaqe të gjelbërt në Kodër Vilë.
Drejtori i zjarrfikësve, Adriatik Velaj, konfirmon për “Durrëslajm” se dy mjete zjarrfkëse që shkuan në zonë bënë të mundur neutralizimin e flakëve dhe vënien e tyre nën kontroll. Aktualisht zjarri është fikur.
Siç duket nga fotot që po publikojmë, disa nga pishat, si dhe shkurret mesdhetare janë dëmtuar rëndë nga flakët, ndërkohë që sipërfaqja ku shpërtheu zjarri ishte pranë godinave të banimit, të cilat mund të rrezikoheshin, nëse zjarri merrte përmasa edhe më të mëdha.
Flakët u favorizuan edhe nga era, por fatmirësisht nuk pati dëme të mëdha. Nuk dihet ende nëse zjarri nisi për shkak të temperaturave të larta, apo nga një pakujdesi njerëzore.





