Pas denoncimit në “DurrësLajm” të rastit të hajdutit në lagjen nr.5 në Durrës, që hyri në një pallat për disa minuta e më pas vodhi një biçikletë (lexo këtu), të tjera raste të ngjashme raportohen po në këtë zonë.

Një tjetër banore e lagjes nr.5 tek ish-rajoni i policisë, ka denoncuar në “DurrësLajm” se dyshohet që po i njëjti hajdut (nisur nga strategjia e ndjekur), ose ndonjë bashkëpunëtor i tij, ka vjedhur edhe një tjetër pallat.

Sipas saj, janë vjedhur 4 biçikleta, 4 pompa, 1 gjenerator, biçikletë etj. Ngjarja ka ndodhur më 24 mars, në orët e mbrëmjes gjatë fashës 19:00 – 20:00, teksa autorët kanë përfituar dhe nga orari i karantinimit që nuk lejohej dalja e qytetarëve jashtë për shkak të pandemisë së Covid-19 e nuk kishte lëvizje.

“Kemi dyshime se hajdutët janë të lagjes, që e njohin mirë zonën ku futen për të vjedhur, por çuditërisht policia nuk i kap dot…

Kanë hapur derën e pallatit tonë me kartë, kanë kontrolluar dy katet e para, e më pas kanë zbritur në depo, në garazh. Kanë hapur me forcë bravën e derës së hekurit e kanë realiuar vjedhjen. U kthyen sërish e vodhën dhe një biçikletë tjetër në korridor”, thotë banorja.

Më tej, ajo ngre shqetësimin se çdo pallat vidhet në të njëjtën mënyrë në atë zonë, ndërsa banorët ndjehen të frikësuar edhe më shumë me kalimin e ditëve, pasi asnjë prej tyre nuk është kapur deri më tani.

“Ata po bëjnë kërdinë, vazhdojnë me programin e tyre dhe policia ende nuk i ka identifkuar apo kapur, pavarësisht se kemi bërë kallëzim menjëherë pasi konstatuam rastin”.

DurrësLajm” transmeton momentin kur dy autorët kanë hyrë në pallat për të realizuar vjedhjen, të kapur nga kamerat e sigurisë. Ashtu si në rastin e publikuar mbrëmë, të ndodhur më 18 prill në mes të ditës kur veproi një autor i vetëm, në këtë rast janë dy persona me maskën mbrojtëse dhe kapuç në kokë.