Gazetari i njohur Marin Mema ka qenë i pranishëm mbrëmjen e sotme në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës për vitin akademik 2018-2019.

Gjatë fjalës së tij, Mema përsëriti apelin e tij drejtuar studentëve për të mos ikur nga ky vend, por për të punuar të gjithë së bashku për një Shqipëri më të mirë.

“Une e di që shumë prej jush duan të largohen, e di qe shumë prej jush e mendojnë të ardhmen larg këtij vendi. E nuk ju vë faj për këtë, sa kohë dyert per ju shpesh kanë qëndruar të mbyllura. E ardhmja, mundësitë, meritokracia, mbështetja në këtë vend për të rinjtë janë të vështira. Nuk ju vë faj sepse ju kërkoni një të nesërme më të mirë, kërkoni mundësi, kërkoni të ndërtoni një të ardhme të denjë. Megjithate diçka j’ua kërkoj sot shumë sinqerisht. Për të gjitha këto probleme, për këto pamundësi, dyer të mbyllura, zhgënjime e mungesë vëmendje, mos bëni fajtore Shqipërinë. Fajin nuk e ka vendi, por e kanë ata që nuk e duan vërtetë Shqipërinë. Fajin nuk e ka Shqipëria që është vendi ynë, por ata që e kanë zënë për fyti e nuk i lejojnë të ardhmen. Nuk rresht megjithatë së menduari se ju të gjithë sëbashku jeni mundësia për një Shqipëri më të mirë, te gjithë ju bashkë, me forcën tuaj, me dëshirën tuaj, me pasionin e ngjyrat tuaja…”,- tha Mema gjatë fjalës së tij.

Një ditë më parë, Mema ishte edhe në universitetin e Korçës, “Fan Noli”, ku tha para studentëve se problemet në armimin e lartë janë të shumta dhe “Pakti për Universitetin” nuk është realizuar.

“Problemet në arsim, mungesa e investimeve të vërteta, pakti ende i pa realizuar, kartat e studentit që vetëm të tilla nuk janë, kundërshtimi i padrejtësive dhe politikave të gabuara arsimore, reformat e munguara, largimi i rinisë dhe shumë pika të tjera përtej çdo ngjyrimi politik ishin në fokus të një bisede të gjerë me studentet e Universitetit “Fan Noli” në Korçë.” – shkruan Mema në faqen e tij në Facebook.

Të njëjtin apel u pati drejtuar gazetari i njohur edhe studentëve të UAMD-së gjatë ceremonisë së diplomimit për vitin akademik 2018-2019.