Punimet në shëtitoren “Taulantia” në Durrës janë drejt fundit. Nëntori 2020 është afati kohor i dorëzimit të rikonstruksionit të shëtitores bregdetare, investim i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Për këtë investim duket se është i entuziazmuar edhe kryeministri Rama, që ka publikuar mbrëmjen e sotme një video të shkurtër (shih në fund të shkrimit) nga një prej vendeve më të preferuara nga durrsakët për të bërë shëtitjen e buzë mbrëmjes.

Por ndërsa në videon e publikuar nga kryeministri shihet shëtitorja në 180 gradë, ajo që bën përshtypje (ose më mirë nuk u bën më përshtypje durrsakëve) është sasia e madhe e betonit dhe pllakave që kanë mbuluar të gjithë këtë hapësirë buzë bregut të detit. Për fat të keq, pemët dekorative të mbjella përgjatë saj duken si jetime, madje thuajse nuk duken fare.

Si për çudi, rreth 2 vite më parë kur u prezantua projekti 3D i shëtitores dominonte gjelbërimi, siç duket mjaft qartë në fotot që po publikojmë më poshtë.

Kushdo mund ta bëjë fare lehtë krahasimin mes gjelbërimit 3D të qeverisë dhe gjelbërimit real të shëtitores bregdetare. Buxheti i Shtetit harxhoi rreth 363 milionë lekë të rinj (2,8 milionë euro për rikonstruksionin e shëtitores) për t’u shtuar durrsakëve edhe një tjetër sipërfaqe të betonuar.

Mbase pemët rriten dhe shtojnë kurorën e tyre deri në mandatin e 4-ërt të kryeministrit Rama. Jo më kot ai shprehet se do edhe një mandat të tretë, edhe një mandat të katërt!

Nga “pyll” betoni që është tani shëtitorja bregdetare mund të transformohet në pyllin 3D deri në vitin 2029…

M.B.