Kryeprokurorja Arta Marku rikonfirmohet në detyrë, pasi kalon me sukses procesin e Vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi një procedurë të thellë hetimi bazuar në 3 kritere, atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe kriterin moral. Trupi gjykues vendosi konfirmimin në detyrë për Markun. Prokurorja e Përgjithshme nuk kishte probleme me justifikimin e pasurisë dhe as me pastërtinë e figurës.

Vendimi mund të ankimohet në KPA nga subjekti i vlerësimit ose komisionerit publik pas 15 ditësh. Seanca dëgjimore një ditë më parë u shoqërua nga debatet mes përfaqësuesit të ONM, Theo Jacobs dhe avokates së kryeprokourores, Lirime Çukaj, lidhur me një ankesë të një qytetari, i cili është mbajtur në qeli me kërkesë të Arta Markut, pasi ishte ndaluar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Jacobs tha se paraburgimet në Shqipëri janë të tejmbushura dhe kjo edhe si rrjedhojë e rolit të prokurorëve në hetimin penal.

Pas dhënies së vendimit nga KPK, avokatja Lirime Çukaj u ndal te lëvizjet e Arta Markut në Prokurori, pas vërejtjeve nga trupa e Vettingut një ditë më parë, të cilat kryetares së trupës së KPK, Suela Zhegu, nuk kishin dhënë rezultat. Sa i takon mbajtjes në burg të të ndalurit për drejtim automjeti në gjendje të dehur, Çukaj tha se politika penale ka qenë e ndryshme nga sa është sot.