Armata Kolumbiane ka rrëzuar pretendimet e Policisë Shqiptare se operacioni për kapjen e 613 kg kokainë ishte i palës shqiptare.

Në faqen zyrtare të ushtrisë kolumbiane thuhet se operacioni që u zhvillua në Maminas të Durrësit është i përbashkët. Po ashtu Armata Kolumbiane thekson se kontejneri ishte nisur në mesin e janarit nga Kolumbia.

“Droga ishte nisur në mesin e janarit nga Kolumbia dhe i përkiste një grupi të trafikut të drogës ‘Clan del Golfo’. Clan del Golfo’ ka kontakte me disa porte në Evropë. Vlera e drogës së kapur shkon në 37 milionë dollarë. Do vijojmë operacionet e përbashkëta”, thuhet në njoftimin e Armatës.

Ndërkohë media meksikane që trajtoi në shkrimin e saj faktin se kokaina i përkiste kartelit "Clan del Golfo", shkruante ndër të tjera: “Rreth 613 kg kokainë të kamufluar në një kontejner me banane u zbuluan në portin shqiptar të Durrësit në një operacion të koordinuar nga marina kombëtare kolumbiane, agjencitë ndërkombëtare dhe policia shqiptare”.