Dy persona janë arrestuar dhe njëri është shpallur në kërkim, pasi grabitën dhe i vendosën gjobë një biznesmeni në kryeqytet.

Si rezultat i operacionit “Diamantët”, u arrestuan Enea Duraj 26 vjeç, lindur në Kuçovë dhe banues në Tiranë dhe Renato Toska 28 vjeç, lindur në Ballsh dhe banues në Tiranë, ndërsa në kërkim është shpallur E. H. 31 vjeç.

Të arrestuarit fillimisht e kanë grabitur me dhunë biznesmenin me inicialet R. S. në Yrshek duke i marrë një sasi monetare dhe disa sende me vlerë, diamantë dhe florinj.

Si u kërcënua biznesmeni

Por ata nuk janë mjaftuar me kaq, pasi i kanë vendosur edhe një gjobë prej 10 000 eurosh biznesmenit.

Biznesmeni u ka thënë se do ua paguajë shumën, por ka bashkëpunuar me policinë dhe në momentin e dorëzimit të 10 mijë eurove, Enea Duraj dhe Renato Toska janë arrestuar nga policia.

Policia informon se gjatë kontrollit të ushtruar pas arrestimit, dy të rinjve u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma monetare prej 5000 eurosh dhe 300 000 lekësh të rinj, që i kishin marrë biznesmenit.

Dy të rinjtë rrezikojnë deri në 10 vite burg për kërcënim dhe gjobëvënie, ndërsa vijon hetimi për zbulimin e plotë të rrjetit.

Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.