Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte sot në Durrës, ku pas vizitës në Bashki, në një deklaratë për mediat, foli në lidhje me shpërndarjen dhe vlefshmërinë e dokumenteve të identitetit.

Për arsye të pandemisë, janë ndaluar veprimtaritë e zyrave të aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti, por ndërkohë një numër i madh kartash ID dhe pasaportash janë prodhuar dhe Lleshaj tha se do të merren masa që sipas një skeme të caktuar dhe shumë të sigurt, këto karta e pasaporta të shpërndahen. 

“Zyrat përkatëse që janë përgjegjëse për shpërndarjen e kartave ID dhe pasaportave dhe bëhet fjalë për disa mijëra syresh, do të fillojmë nga nesër që të thërrasim qytetarët nominalisht, për të lënë takime për të marrë në dorëzim kartat apo pasaportat. 

Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë në këtë proces, i cili duhet të zhvillohet duke respektuar me rigorozitet të lartë të gjitha masat e sigurisë“, tha Lleshaj.

Kartat apo pasaportat, që iu ka mbaruar afati i vlefshmërisë gjatë periudhës së epidemisë, shtyhet afati i vlefshmërisë

Ndërkohë për të gjithë qytetarët e tjerë, të cilët nuk kanë pasur mundësi të paraqiten për t’i rinovuar kartat apo pasaportat e tyre, ministri i Brendshëm theksoi që të gjitha kartat apo pasaportat, të cilave u ka mbaruar afati i vlefshmërisë gjatë periudhës së epidemisë, ky afat vlefshmërie nuk do të njihet, pra ato do të konsiderohen të vlefshme për aq kohë sa pandemia do të zgjasë në Shqipëri apo më tej.

“Për këtë arsye ne do ta formalizojmë së shpejti me aktet përkatëse ligjore, të cilat do të mundësojnë njohjen e vlefshmërisë së çdo pasaporte apo karte identiteti, në të gjithë territorin e vendit, për aq kohë sa zgjat epidemia. Ndërkohë që për bankat, është komunikuar zyrtarisht me të gjithë drejtuesit e bankave të cilëve u është kërkuar nga Ministria e Brendshme që t’i njohin ndërkohë, edhe pa u formalizuar i gjithë procesi i njohjes, të njohin vlefshmërinë e të gjitha kartave dhe pasaportave të cilave u ka përfunduar vlefshmëria zyrtare gjatë kohës së epidemisë“, tha ai.